Kush do të jetë pasuesi i Altin Dumanit? Përfundon prezantimi i platformave të 4 kandidatëve, KLP zgjedh sot fituesin

Pas gati 6 orësh ka përfunduar intervistimi i 4 kandidatëve për të marrë drejtimin e SPAk, teksa Altin Dumanit i përfundon mandati në 16 dhjetor.

Që prej orës 9 të mëngjesit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë 4 prokurorët e posaçëm paraqitën platformat e tyre dhe më pas iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KLP-së.

I pari që prezantoi platformën e tij ishte Adnan Xholi, ndjekur nga Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe në fund Klodian Braho.

Mbledhja ishte e hapur për mediat dhe të pranishëm ishin edhe ndërkombëtarët, e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i delegacionit të BE, Silvio Gonzato si edhe ambasadori britanik Nicholas Abbott.

Ndërkohë pritet që në orët në vijim 11 anëtarët e KLP-së të zgjedhin kreun e ri të SPAK mes Xholit, Musabelliut, Gokajt dhe Braho.

Emri i fituesit do të shpallet sot, ndërsa marrja zyrtare e detyrës dhe ceremonia e dorëzimit të kompetencave do të zhvillohet më 19 dhjetor.