2 gra u vranë nga burrat brenda pesë ditëve, nesër ditë zie në Kosovë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se nesër do të jetë ditë zie në Kosovë në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara.

Osmani theksoi se shoqëria do të jetë në zi çdo ditë për sa kohë do të ketë vrasje të grave dhe vajzave.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona!”- ka thënë ajo.

Vendimi vjen pasi brenda 5 ditëve dy gra janë vrarë nga partnerët e tyre në Kosovë. Ditën e sotme Gjyljeta Ukella nënë e tre fëmijëve u vra nga bashkëshorti i saj Edmond Lajqi.

Ndërkohë më 12 prill, 21-vjeçarja Erona Cokli u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj nga ish-bashkëshorti i saj pas problemeve që kishin për kujdestarinë e fëmijës së tyre.