125 vite më parë, Faik Konica parashikoi Shqipërinë e sotme: Mbajeni mend, do të jemi aq poshtë sa…

“Mbani mirë mënd këtë që po ju them: në njëqind vjet në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa dhe sot”, kështu shkruan Faik Konica në mars të vitit 1898, kur  kritikonte shqiptarët për mungesë atdhetarie.

Kaluan 100 vjet e Konica, në fakt 125, dhe duket se konstatimi i tij është ende aktual. Në shumë detaje të këtij artikulli gjen aktualitetin shqiptar të pas një shekulli. Kur Konica shkroi këtë artikull të shkurtër, shumë kritik për shqiptarët e fundshekullit të XIX, ishte një kohë e vështirë për Shqipërinë, nën pushtimin Osman.

Shumica e popullsisë ishte analfabet sepse nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe. Shqiptarët ishin të varfër dhe të paorganizuar. Pak vite më pas, ngjarje të mëdha ndodhen në Shqipëri dhe më e madhja ishte shpallja e pavarësisë.

Por fjalët e Konicës ishin ende shumë aktuale, e do të mbeteshin aktuale edhe në dhjetëvjeçarët e tjerë dhe për fat të keq një pjesë e rëndësishme e këtij konstatimi është edhe sot kaq aktuale. Sepse kur e lexon Konicën me kritikat therëse që shkroi para më shumë se 100 vitesh, duket se është duke folur pikërisht për shqiptarët e kësaj kohe.

Sepse sot Shqipëria është ndër vendet më të varfëra në Evropë, me nivelin më të lartë të korrupsionit e nivelin më të ulët të demokracisë, me një elite politike sunduese e painteresuar për zhvillim e  prosperitetin e vendit veçse për interat për pushtet dhe para..

Më poshtë publikojmë artikullin “Kundër Politikës” i shkruar në numrin 11 të revistës “Albania” botuar në mars të vitit 1898.

Faik Konica

Revista “Albania mars 1898

Duke parë  parë dhe dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësimë, malet të tunden dhe të rrëkëllehen ne nuk e këmbëjmë mënyrën tonë. Mbani mirë mënd këtë që po ju them: në njëqind vjet në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa dhe sot.

Shqipëria është një vënd i mjerë dhe i errët, pa bukë, pa gjuhë, pa qytetëri, pa njerëz të shquar, pa njerëz që njohin të mirën dhe që përpiqen ta arrijnë. Ç’është detyra e atyre të paktëve shqiptarë që kanë në kokë ca fara dhe në zemër një cikë dashuri për mëmëdhenë? Detyra e tyre është të përpiqen të këndohet dhe të shkruhet në gjuhën shqipe, të hapen ca shkolla, të shëndoshet dhe të rritet mendimi kombiar, të çahen dhe’ urdhëra të mira edhe të shumta nëpër tërë shqipërisë që të ngjallet tregtia dhe bujqësia të cilat janë të ngordhura në dhe’ tonë. Po këto punëra s’bëhen pa vojtje. Duhet durim për ti mbaruar, duhet një mjeshtëri që “mëmëdhetarët e vërtetë” s’janë të zotërit ti kenë. Andaj ç’nbëjnë? bëjnë një punë shumë më të lehtë: politikë.

Të lëshojë Turqia njeriun dhe të dalë jashtë kufisë, të shkruajë ditë për ditë memoranda, të këndojë gazeta, të lëvdojë Shqipërinë përpara të huajve e të tjera, janë lodra për të cilat s’duhet as dituri e madhe as mundim i shumtë.

Po të përpiqet njeriu të ngulë natë e ditë me çdo mënyrë mendimin kombiar në tru të shqiptarëve, ndofta është punë ca më e rëndë.

Të vesh e të thuash “mëmëdhetarëve të vërtetë”: ejani të punojmë për gjuhën shqipe dhe për mendimin kombiar, do të lodhesh kot. Ata s’duan mundime por lodra, duan si grekërit të venë nëpër kafene dhe me fjalë për të qeshur të këmbejnë kartën e ballkanikut.

Ashtu bënin grekërit andaj u shuan. Po siç e thamë s’jemi të zotërit të heqim mësime nga vojtjet e botës.  Në vënd që të vemi të rrëmihim kopshtet dhe të mbjellim, na është më e lehtë të bëjmë gati shportat për të mbjellë pemë që nuk kanë zënë asnjëherë. Atyre të cilëve iu pëlqen, le ti venë politikës nga pas; kemi shpresë që do të bëjnë punëra të mëdha. Po shqiptarët e rinj në shpirt të cilëve u zien dashuria e mëmëdheut, ditë për ditë po mblidhen rreth e rrotur flamurit dhe luftojnë me ne atë luftën e mirë pa gjak nga e cila do të dalë i fortë dhe i madh kombi shqiptar.