Zyrtare, Skënder Gega largohet nga Partizani pak javë para nisjes së sezonit

Trajneri Skënder Gega ka dhënë dorëheqjen nga Partizani, duke i dhënë fund bashkëpunimit me “Demat e kuq” pak javë para startit të sezonit të ri futbollistik.

Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga klubi përmes një komunikate për shtyp.

“FK Partizani njofton se trajneri Skënder Gega ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, e cila është pranuar nga Presidenti i klubit. E falënderojmë trajnerin Gega për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë suksese në vazhdim”, shkruan klubi.

Gega mori drejtimin e Partizanit në fillim të vitit 2025, duke marrë përsipër rindërtimin e skuadrës pas një sezoni të pasuksesshëm. Megjithatë, aventura e tij e dytë në krye të “Demave të Kuq” rezultoi e shkurtër dhe pa arritjen e objektivave madhorë.

Nën drejtimin e Gegës, Partizani nuk arriti të shkonte përtej fazës së parë të “Final 4″ sezonin e kaluar, duke u eliminuar nga Egnatia në ndeshjen hapëse të fazës play-off.

Dorëheqja e teknikut 54-vjeçar vjen në një moment delikat për klubin, që tashmë duhet të lëvizë shpejt për të gjetur një zëvendësues, përpara fillimit të sezonit të ri në Kategorinë Superiore.

Ende nuk ka një emër zyrtar për pasuesin e Skënder Gegës, ndërsa pritet që ditët në vijim drejtuesit e Partizanit të marrin një vendim për të ardhmen e stolit.