UEFA ka zgjedhur Shqipërinë dhe Serbinë për të organizuar së bashku Kampionatin Europian të Futbollit për Kombëtaret U21 që do të zhvillohet në vitin 2027.
Ashtu siç pritej, institucioni më i madh i futbollit europian ka pranuar kërkesën e dy vendeve, që do të presin nga 8 skuadra secila, me finalen e madhe që do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë.
Bashkëpunimi mes dy federatave ishte kundërshtuar nga tifozët shqiptarë, me në krye tifogrupin më të madh, “Tifozat Kuq e Zi”, por kundërshtimet e tyre nuk janë marrë parasysh nga FSHF, e cila ka zgjedhur të jetë së bashku me Serbinë në këtë eveniment.
Për kreun e FSHF-së, Armand Duka, ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli.
Sipas tij, “ky turne do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.
Presidenti Duka shtoi: “Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”.