Për të disatën herë, Prokuroria e Posaçme ka vendosur të zgjasë afatet hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili është nën hetim për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Zvarritja e përgjigjeve nga autoritetet zvicerane për letër-porositë e dërguara nga SPAK, si dhe procesi i ekspertimit të telefonit celular të Ahmetajt, janë bërë sërish shkak për mosmbylljen e hetimeve ndaj tij.
SPAK ka caktuar 23 dhjetorin 2025, si afat përfundimtare për përmbylljen e veprimeve hetimore.
Deri në këtë datë pritet të përgatitet edhe dosja përfundimtare ndaj ish-numrit dy të qeverisë Rama, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se dy vitesh.
Për të njëjtën çështje janë në hetim edhe bashkëjetuesja e Ahmetajt, Erjola Hoxha, si dhe ish-bashkëjetuesja e tij, Albina Mançka.
Të dyja akuzohen për veprat penale të “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë” dhe “pastrimit të parave”.