Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, procedohen penalisht tre persona

Tre persona janë vënë nën procedim penal në gjendje të lirë, në kuadër të hetimeve për zjarrin që përfshiu Parkun Kombëtar të Lurës. Dyshohet se ata nuk kanë përmbushur detyrimet për monitorimin dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri.

Për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” janë proceduar në gjendje të lirë K. S., 35 vjeç, dhe S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, si dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, dy prej personave të proceduar kanë ushtruar detyrën e rojeve të mjedisit, ndërsa i treti ka qenë përgjegjës për monitorimin e parkut kombëtar.

Autoritetet dyshojnë se gjatë kohës që kishin përgjegjësinë për territorin, ata nuk kanë marrë masat e duhura për mbikëqyrjen, ruajtjen dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.

Flakët kanë shkaktuar dëme në disa hektarë sipërfaqe pyjore brenda Parkut Kombëtar të Lurës.

Ndërkohë, hetimet e policisë vijojnë për të zbardhur origjinën e zjarrit dhe për të identifikuar autorin e mundshëm të tij.