Zjarret në Greqi, qindra emigrantë shqiptarë mbeten të bllokuar në aksin që lidh Artën me Janinën

Qindra emigrantë shqiptarë të cilët ishin nisur për në Shqipëri kanë kaluar momente të vështira pasi mbetën të bllokuar për disa orë në aksin që lidh Artën me Janinën në vendin e quajtur Filipiadha.

Situata ishte e rrezikshme, thotë Top Channel pasi autobusë dhe makina u detyruan të ecin mbrapsht në krah të kundërt për më shumë se 1 kilometër në autostradë për të mos rrezikuar jetën e udhëtarëve nga zjarri.

Ndërkohë është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët vunë nën kontroll flakët për të bërë të mundur kalimin e sigurt të autobusëve me udhëtarë si dhe të mjeteve.

Edhe Greqia po vuan nga zjarret e shumta që kanë përfshirë vendin, situata më problematike është në Kefalonia, Zakynthos, Fokida dhe Vonitsa.