Disa fshatra të Gramshit janë nën pushtetin e tymit dhe flakëve që arrijnë deri në disa metra. Në Kullollas humbi jetën një i moshuar, rreth 80 vjeç, pasi dyshohet se zjarri që ndezi në kopshtin e banesës i doli jashtë kontrollit dhe për pasojë u asfiksua.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka thënë per mediat se 6 persona janë dërguar në spitalin e Gramshit për shkak të intoksikimit nga tymi. Megjithatë ai nënvizon se nuk janë në gjendje të rëndë.
Helikopterët e emergjencave janë pozicionuar në stadiumin e Gramshit në pritje për të transportuar të plagosur drejt Tiranës.
Ministria e Mbrojtjes kërkon që banorët e Skënderbegasit të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.
Ndërkohë, në fshatrat Spanesh dhe Kazie, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret.