Një valë e fuqishme të nxehti po nxit dhjetëra zjarre në pjesë të ndryshme të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë dhe duke çuar temperaturat mbi 40°C.
Alarmi i kuq për temperatura ekstreme është dhënë në disa rajone të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, me paralajmërime për rrezik të madh për shëndetin.
Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, paralajmëroi se temperaturat mund të arrijnë deri në 44°C në qytetet Sevilje dhe Kordoba, ndërsa autoritetet në jug të Portugalisë dhanë një paralajmërim të ngjashëm për temperaturat ekstreme.
Në Itali, një fëmijë humbi jetën si pasojë e goditjes nga i nxehti të hënën, ndërsa në Tres Cantos, në veri të Madridit, një burrë me djegie të rënda ndërroi jetë në spital, njoftuan zyrtarët.
Qindra banorë në Tres Cantos u evakuuan për shkak të zjarreve, ndërsa ministri rajonal i mjedisit e përshkroi zjarrin si me “karakteristika shpërthyese” për shkak të një stuhie të thatë të shoqëruar me erëra që tejkalonin 70 km/h.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha në një postim në rrjetin social X se ekipet e emergjencës “po punojnë pa pushim për të shuar flakët” dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë shumë të kujdesshëm për shkak të rrezikut ekstrem nga zjarret pyjore.
Në rajonin veriperëndimor të Kastiljes dhe Leonit, afro 4,000 persona u evakuuan dhe u raportuan më shumë se 30 vatra zjarri – njëra prej të cilave kërcënon Las Medulas, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur për minierat e arit të lashta.
Një tjetër zjarr në Andaluzinë jugore detyroi evakuimin e 2,000 personave nga hotelet dhe shtëpitë pranë zonës turistike Tarifa. Rreth 1,000 ushtarë janë angazhuar në të gjithë Spanjën për të luftuar flakët, njoftoi njësia kombëtare e emergjencave ushtarake.
Në Portugali, zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha, më i rëndi pranë qytetit Trancoso në qendër të vendit, që u arrit të vihej nën kontroll të martën. Më shumë se 1,300 zjarrfikës dhe 14 avionë u aktivizuan, ndërsa Maroku dërgoi dy avionë ndihmë pasi mjetet ajrore portugeze kishin pësuar defekte, raportoi Reuters.
Temperaturat në Portugali parashikohen të arrijnë deri në 44°C, ndërsa në shumë zona ato nuk do të bien nën 25°C gjatë natës.
Në Itali, ku temperaturat pritet të arrijnë mbi 40°C gjatë javës, janë lëshuar alarme të kuqe në 16 qytete përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen. Të hënën, një djalë katërvjeçar nga Rumania humbi jetën nga goditja e të nxehtit. Ai ishte gjetur pa ndjenja në një makinë në Sardenjë dhe u transportua me helikopter drejt një spitali në Romë, por humbi jetën për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm të trurit, raportuan autoritetet shëndetësore.
Gati tri të katërtat e territorit të Francës ishin nën alarme të të nxehtit të martën. Temperaturat në rajonin e Parisit priten të kapërcejnë 36°C dhe të arrijnë deri në 40°C në Luginën e Rhônës. Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, deklaroi se spitalet janë në gatishmëri për pasojat e valës së dytë të të nxehtit këtë verë. Vetëm të hënën, 80 stacione meteorologjike thyen rekordet për muajin gusht, 58 prej të cilave shënuan temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Në Greqi, erërat e forta përhapën zjarret në ishujt turistikë Zakynthos dhe Kefalonia, duke shkaktuar evakuime të hoteleve dhe fshatrave. Një zjarr tjetër pranë qytetit perëndimor Vonitsa kërcënoi shtëpi, ndërsa katër zona të tjera të Greqisë përballen gjithashtu me evakuime.
Në provincën Çanakkale të Turqisë veriperëndimore, një zjarr i madh detyroi qindra persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Guvernatori Ömer Toraman bëri të ditur se shtatë avionë dhe gjashtë helikopterë janë angazhuar për përballimin e situatës. Ngushtica e Dardaneleve u mbyll përkohësisht për të lejuar funksionimin e sigurt të mjeteve ajrore që hidhnin ujë mbi flakët.
Në Shqipëri, zjarret bënë që banorët të evakuoheshin të hënën, ndërsa në Kroaci një zjarr i madh në Split u arrit të vihej nën kontroll të martën. Edhe në Mal të Zi, një zjarr i fuqishëm në fshatin Piperi pranë Podgoricës shkaktoi dëme të mëdha në banesa.
Ndërkohë, pjesë të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë valën e katërt të të nxehtit për këtë vit, me paralajmërime portokalli dhe të verdha për të gjithë Anglinë, ku pritet që temperaturat të shkojnë deri në 34°C.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po e bën verën mesdhetare gjithnjë e më të nxehtë dhe të thatë, duke nxitur zjarre më të gjata dhe më të rënda se më parë./CNN
Përktheu dhe redaktoi në gjuhën shqipe, Media Ditari