Një zjarr masiv ka përfshirë sërish vendgrumbullimin e mbetjeve në Kameras të Fushë-Krujës, duke shkaktuar një situatë shqetësuese mjedisore për zonën.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Flakët janë përhapur njëkohësisht në pjesë të ndryshme të fushës së mbetjeve, çka ka ngritur dyshime për përdorimin e lëndëve djegëse.
Kjo është hera e dytë brenda rreth një muaji që vendgrumbullimi përfshihet nga flakët. Menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, një re e dendur tymi ka mbuluar zonën, ndërsa në varësi të drejtimit të erës, tymi po përhapet drejt Mamurrasit dhe Kamzës.
Situata ka shkaktuar shqetësim te banorët e zonave përreth, pasi tymi i rëndë vështirëson frymëmarrjen dhe përbën rrezik për cilësinë e ajrit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve. Megjithatë, ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak të natyrës së mbetjeve.
Sipas ekspertëve, shuarja e plotë e zjarrit nuk mund të realizohet vetëm me ujë, pasi vatrat mund të vijojnë të digjen edhe në thellësi të masës së mbetjeve.
Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrje me mjete të rënda dhe fadroma për të mbuluar dhe kapsuluar mbetjet me dhe, një proces që konsiderohet mënyra më efikase për izolimin dhe shuarjen e flakëve që vijojnë të jenë aktive nën sipërfaqe.
Ndërkohë, mbetet për t’u përcaktuar shkaku i saktë i zjarrit dhe nëse dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme do të konfirmohen nga hetimet e autoriteteve.