Zigzag-et e kursit, 3.5 miliardë euro qarkullon nën dorë, a po dominon krimi?!

Luhatjet e forta të Kursit të Këmbimit në tregun valutor nuk gjejnë një shpjegim normal nga ekspertët e ekonomisë. Brenda pak ditësh, leku shqiptar është forcuar deri në 3 % brenda ditës, e po kështu është zhverësuar po ndjeshëm të nesërmen.

Luhatje të tilla konsiderohen spekulative në një treg normal sa krijon kushte për hetim penal, pasi besohet se spekulantë të ndryshëm, kryejnë manovra të shpejta në shuma të mëdha për të përfituar nga kursi i këmbimit.

Kjo ka ndodhur në Shqipëri, teksa brenda ditës, insitucione publike ose private kanë blerë sasi të mëdha eurosh brenda dite, siç ndodhi para pak ditësh me OSHEE, e cila bleu 30 milionë euro me një dorë për import energjie.

Por rënia e eurosh mbi 10 % në pak muaj, ka ngritur një alarm tjetër. Qarkullimi i parasë së zezë, e në veçanti në sektorin e ndërtimit, ka mbiforcuar ndjeshëm lekun duke krijuar përshtjellime në ekonominë kombëtare.

Para pak ditësh, Banka e Shqipërisë nxorri një statistikë që nuk ra shumë në sy. Ajo vlerësoi se sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend ka arritur në nivelin rekord.  Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të qershorit, paraja nën dorë arriti në mbi 389 miliardë lekë, me kursin aktual të këmbimit rreth 3.5 miliardë euro. Me pak fjalë, 24 % e ekonomisë qarkullon nën dorë dhe kjo shifër është afërisht 3 herë më e lartë se mesatarja e ekonomisë së eurozonës.

Sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave në eurozonë ishte rreth 9 për qind e totalit. Madje edhe në vendet e rajonit paraja informale është tek shifrat e 10 përqindëshit.

Nga ana tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se ekonomia Shqiptare në tërësi është mbi 40 % informale, duke e kthyer Shqipërinë në ekonominë me informalitetin më të madh në rajon.

Kjo e dhënë duhet të ngrinte alarmin e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, por në fakt po ndodh e kundërta. Kryeministri e paraqiti si sukses të madh të qeverisë faktin që leku po forcohet. “Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi. Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason”, tha Rama para pak ditësh.

Gurvernatori i Bankës, Gent Sejko pranoi para dy ditësh se luhatjet e tregut në kursin e këmbimit nuk janë normale, por shtoi se ky vlerësim i lekut sjell disa të mira në ekonomi,. Ai këmbënguli se nuk do ketë ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë.

Por ndryshe nga sa pranon publikisht Sejko, në fakt, Banka e Shqipërisë ka shtuar dozën e veprimeve në treg duke blerë më shumë euro për ta nxjerrë nga tregu.

Sipas të dhënave të vetë Bankës së Shqipërisë, shuma e parashikuar e blerjeve këtë vit do të rritet në intervalin mes 220 dhe 300 milionë eurove, nga intervali i mëparshëm prej 160-220 milionë eurosh që ishte publikuar në janar. Kujtojmë se vitin e kaluar Banka e Shqipërsë humbi 154 milionë euro vetëm nga blerja e madhe e eurove për të stabilizuar kursin e këmbimit. Për këtë humbje, askush nuk mban përgjegjësi.

Eksportuesit shqiptarë kanë ngritur alarmin nga këto luhatje të kursit të këmbimit, ç’ka rrezikon që ekonomia të humbasë mijëra vende pune. Ata kërkuan nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të ndërhyjë me eskpertizë në Shqipëri për të gjetur një zgjidhje.

Por debati mbetet, dhe pyetja që shtrohet është se si ka mundësi që Qeveria dhe Banka e Shqipërisë e quajnë sukses mbiforcimin e lekun brenda pak muajve? Si ka mundësi që nuk marrin asnjë politikë kur paraja e zezë është 3 herë më e lartë se ekonomitë e eurozonës?

Por nga kjo situatë, Qeveria dhe importuesit e mëdhenj dalin më të fituar.  Qeveria ka reduktuar borxhin publik me rreth 37 miliarde lekë ose mbi 380 milionë euro vitin e kaluar vetëm për shkak të rënies së euros. Këtë vit, borxhi publik do ulet dhe më tepër. Me pak fjalë, oligarkët dhe qeveria janë në rregull dhe fitojnë nga rënia pikiatë e euros. Shqiptarët dhe ekonomia e saj do vuajnë do shtrengojnë rripin më shumë. Ditar.al