Gjykata e Lartë ka zbardhur të plotë vendimin për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e PD.
Në Apel, çështja do të gjykohet nga një trupër tjetër gjyqësore. Ndërkohë palët do të kenë mundësi që të paraqesin pretendimet e tyre.
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”, njofton Gjykata e Lartë.
Rikujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë ka kthyer në Apel vendimin e datës 3 mars, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë të parë çështjen e logos dhe vulës së Partisë Demokratike.
Rekursi në Gjykatën e Lartë u bë nga ana e “Rithemelimit”, e cila nuk pranoi kthimin e çështjes në Shkallën e Parë. Në këtë të fundit, gjyqtari Agron Zhukri njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit, por vendimi i tij u dërgua në Apel nga Enkelejd Alibeaj.
Në Gjykatën e Apelit, vendimi i Zhukrit u shfuqizua dhe u vendos që çështja të rikthehej në Shkallën e Parë, por “Rithemelimi” bëri rekurs dhe u dërgua në Gjykatën e Lartë. Tashmë fatin e çështjes do ta ketë sërish Apeli, por mesa duket vula dhe logo e PD-së do të mbeten për një kohë të gjatë “jetime”, në pritje për të mësuar se kush do t’i marrë në kujdestari