Në Gjykatën e Posaçme është mbajtur sot gjyqi ndaj Festim Bexhdilit, kopshtari i kompleksit “Golden” në Shijak ku u rrëmbye Jan Prenga dhe më pas trupi i tij u zhduk. 5 vite pas kësaj ngjarje të rëndë, trupi i tij nuk është gjetur ende.
Këtë të premte, SPAK ka dalë me dy qëndrime sa i takon pretencës ndaj Bexhdilit.
Prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin me 20 vite burg për Bexhdilin, ndërsa prokurorja Elida Kaçkini qëndroi në kërkesën për burgim të përjetshëm.
Sipas prokurores Kaçkini Bexhdili ka qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe ka njohje me personat e tjerë të akuzuar për ngjarjen, kjo sipas saj e vërtetuar edhe nga komunikimet SKY ECC.
Ndërsa prokurori Dibra tha se ai është gjetur në atë situatë pasi është punonjës i kompleksit dhe është urdhëruar për fshehjen e kufomës.
Kujtojmë se Bexhdili u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por dosja u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë.
GJKKO pritet të marrë vendimin më datë 25 korrik.