Këtë të premte është konfirmuar një vatër e re e murtajës së bagëtive të imëta në fshatin Shuec, njësia Devoll, në juglindje të Shqipërisë.
Vatra është identifikuar tek një fermer dhe dyshohet për rreth 150 krerë të infektuara, prej të cilave 13 kanë ngordhur.
Bagëtitë e dyshuara janë futur në karantinë dhe shërbimi veterinar ka ndërmarrë masa për izolimin dhe trajtimin e situatës.
Ditën e djeshme Ministria e Bujqësisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me murtajën e bagëtive të imëta. Ministria konfirmoi se murtaja e bagëtive ka shpërthyer në 4 vatra të ndryshme në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti i parë është konfirmuar më 4 qershor 2025 në fshatin Domen, Bashkia Shkodër.
Rasti i dytë është konfirmuar më 5 qershor në fshatin Vrenjt, njësia administrative Kastriot, Bashkia Dibër; rasti i tretë më 9 qershor në fshatin Val, njësia administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë; dhe rasti i katërt më 11 qershor në fshatin Polenë, njësia administrative Qendër, Bashkia Skrapar.
Deri më tani janë prekur 716 krerë, prej të cilëve 25 kanë ngordhur, 153 janë eliminuar, dhe pjesa tjetër është në proces eliminimi për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.