Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet në 5 bashki të vendit, të cilët u zhvilluan një ditë më parë.
Pas numërimit të votave, qytetarët në Mat, Berat, Cërrik, Vlorë dhe Tepelenë vendosën që mandatin t’ua besojnë kandidatëve të mazhorancës, me një diferencë të theksuar nga kandidatët e mbështetur nga Partia Denmokratike.
Në Vlorë, kandidatja e majtë Brunilda Mersini fitoi me 78.88% të votave.
Në Mat ka fituar kandidati i PS-së, Altin Bojni me 7425 vota (66.54 %). Kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita Eduard Brahilika ka marrë 3184 vota (28.54 %), ndërsa kandidatja tjetër e pavarur, Suzana Pasha ka marrë 549 vota (4.92 %).
Në Bashkinë e Beratit, Ervin Ceca i Partisë Socialiste fitoi bindshëm me 13050 vota ndaj rivalit direkt Pavlo Shkarpa që mori 2607 të tilla.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS mori 6201 vota ndërsa kandidati Amarildo Hoxha 1888. Në garë në këtë bashki ishte dhe Eligert Hima nga Shqipëria Bëhet që grumbulloi 1275 të preferencave.
Në Tepelenë, Gramoz Sako i PS mori 77% të votave në këtë bashki, kundrejt 22% që shkuan për kandidatin e mbështetur nga opozita Gabriel Guma.
Zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan gjatë ditës së djeshme në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, pas krijimit të vendeve bosh në postet e kryetarëve të bashkive për shkak të dorëheqjeve, shkarkimeve apo marrjes së mandateve të tjera publike nga ish-kryetarët.