Zgjedhja e kreut të ri të SPAK në fokusin e BE-së, ambasadori Gonzato takim me kryetaren e KLP-së

Më datë 16 dhjetor të këtij viti, Altin Dumanit i përfundon mandati i tij në krye të Prokurorisë së Posaçme. Pak muaj para zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, në media është përfolur shumë mbi emrin që pritet të zëvendësojë Dumanin, në institucionin e drejtësisë që përgjatë viteve të fundit ka hetuar dhe arrestuar personalitete të larta të politikës shqiptare, duke nisur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta, ish-ministra e kryebashkiakë.

Ndërkohë sot mësohet se në kuadër të këtij procesi, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka zhvilluar një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Drjetësisë, Mirela Bogdani. Në fokus të këtij takimi, ka qenë zgjedhja e kreut të ri të SPAK ku Gonzato e ka siguruar kryetaren e KLP-sëmse do të ndjekë nga afër këtë proces duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.

Ndryshe nga 3 vite më parë, ku ishte ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, e cila e ndoqi nga afër këtë proces të rëndësishëm, këtë vit në mungesë të një ambasadori amerikan, zgjedhja e kreut të ri të SPAK do të jetë në fokusin e BE-së.

Për Bashkimin Europian, një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kujtojmë se Altin Dumani u zgjidh në krye të SPAK në dhjetor të vitit 2022. Zgjedhja e kreut të ri të SPAK u bë temë debati në Shqipëri, pas disa deklaratave publike të Ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, që këmbënguli që procesi të ishte i pamanipuluar dhe i pandikuar nga ata që donin të kufizonin hetimet.

Vlen të përmendet se drejtuesi i SPAK ka pasur ndër vite mbështetjen e SHBA-ve ndërsa vetëm pak javë më parë ai ishte për një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit ku në fokus ishte goditja e organizatave kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

“Një sistem drejtësie i besueshëm dhe i pavarur mbetet thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të avancuar rrugën e Shqipërisë🇦🇱 drejt Bashkimit Evropian.

Ambasadori i BE-së Gonzato u takua me znj. Mirela Bogdani, Kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për të diskutuar punën në të ardhmen dhe momentet kyçe që priten, përfshirë përzgjedhjen dhe emërimin e Kreut të ri të SPAK. Delegacioni i BE-së do të ndjekë nga afër këtë proces, duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.

KLP ka një rol thelbësor në garantimin e procedurave transparente dhe të bazuara në meritë për ngritjet në detyrë, vlerësimet dhe standardet profesionale brenda sistemit të prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të asistojmë KLP-në me ekspertizën tonë më të mirë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë standardet e BE-së”- thuhet në postimin e ambasadës së BE në Tiranë.