Zelensky sinjalizon lëshime për paqe, “topi” kalon te Putini

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka sinjalizuar gatishmëri të re për kompromis në disa pika kyçe të negociatave për paqe me Rusinë, duke e vendosur përgjegjësinë për hapin e radhës në duart e Moskës.

Në një takim me gazetarët, Zelensky prezantoi një plan me 20 pika për përfundimin e luftës, të cilin e përshkroi si dokument bazë politik mes Ukrainës, SHBA-së, Evropës dhe Rusisë. Ai tha se priste një përgjigje nga Moska pas kontakteve të ndërmjetësuara nga pala amerikane.

Plani parashikon, mes tjerash, garanci sigurie për Ukrainën nga SHBA, NATO dhe shtetet evropiane, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, si dhe një armëpushim të plotë sapo të arrihet marrëveshja. Zelensky foli edhe për një kompromis territorial në rajonin e Donetskut, që do të përfshinte zona të çmilitarizuara dhe tërheqje reciproke të trupave.

Në dokument përfshihet edhe tërheqja e forcave ruse nga disa rajone të Ukrainës, një zgjidhje e përbashkët për funksionimin e centralit bërthamor të Zaporizhjës, si dhe një paketë zhvillimi për rindërtimin ekonomik të vendit pas luftës.

Zelensky theksoi se çdo marrëveshje përfundimtare do të duhej të miratohej përmes një referendumi kombëtar, i cili mund të mbahet vetëm pas një armëpushimi real dhe në kushte sigurie.

Nga ana tjetër, Kremlini ka bërë të ditur se po shqyrton propozimet, por ka refuzuar të komentojë publikisht detajet e negociatave, duke i cilësuar diskutimet në media si “kundërproduktive”.