Zbulohet identiteti i shqiptarit të vrarë në Itali, 61 vjeçari nga Korça humbi jetën pas sherrit me fqinjin e vajzës

Një 61 vjeçar nga Korça është vrarë në Itali nga fqinji i vajzës së tij në Bibbiano, Reggio Emilia.

Viktima Ilirjan Minaj jetonte prej vitesh në Itali, por mbrëmjen e djeshme është goditur me thikë në kraharor nga 41-vjeçari Riccardo Stefani rreth orës 23:00.

Ngjarja ka ndodhur në derën e shtëpisë së vajzës së tij, ku kishte shkuar të takonte mbesën, por është përballur me autorin e krimit teksa po ngjiste shkallët e pallatit dhe një ngacmim nga ana e 41-vjeçarit ndaj tij ka çuar fillimisht në një debat mes tyre.

Pas sherrit, Riccardo Stefani raportohet se është futur në banesën e tij, por Ilirjan Minaj, sipas mediave italiane, ka goditur fort derën e shtëpisë së autorit, ku ky i fundit jetonte me nënën e tij.

41-vjeçari raportohet se ka hapur derën duke mbajtur një thikë në dorë dhe ka goditur shqiptarin në kraharor.

Ilirjan Manaj ka rënë në tokë duke humbur jetën pasi nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra.

Viktima dhe gruaja e tij Natasha jetonin në Bibbiano, në një qytet ku jetojnë edhe disa të afërm të tyre, si edhe është rritur edhe vajza 19-vjeçare e çiftit.