Zbardhen përgjimet e SPAK/ Nga ish-gjyqtarja që i kërkoi bandave të hakmerret ndaj gazetarit Saimir Kodra te snajperisti që do vriste Albin Kurtin

Detaje tronditëse janë zbuluar nga përgjimet e Prokurorisë së Posaçme lidhur me organizatën kriminale në Elbasan, e cila u godit nga SPAK, me këtë të fundit që lëshoi 21 masa sigurie.

SPAK lëshoi 18 masa sigurie “arrest me burg”, mes tyre edhe për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila aktualisht ndodhej në masën “arrest shtëpie”, në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2”.

Fetahu edhe pse ka qenë në sistemin e drejtësisë, lidhjet me bandat i kishte shumë të ngsuhta, ku komunikonte në SkyEcc.

Përgjimet kanë zbuluar se ish-gjyqtarja ka porositur bandat e Elbasanit për të goditur dhe për t’u hakmarrë ndaj gazetarit Saimir Kodra, i cili më herët ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin e organizuar si dhe vendimet e saj korruptive.

“Ai, djali i vogël, të gënjej me jetën time, nuk ka djegur asgjë, po pse ty do të gënjej unë, ai mund të ketë djegur shtëpinë e familjarëve të Saimir të Stopit, se kam të sigurt. Unë kam menduar që e ke kuptuar. Atë e kanë bërë shokët e mi me dijeninë time. Në fakt unë doja të dëmtoja direkt Saimirin, ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty, ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë më shumë me të, se e di jemi të ngarkuar.

Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht”, thuhet në bisedën e zbardhur.

Ndërkohë në listën e 21 personave që ishin pjesë e kësaj bande del edhe emri i Prek Kodrës, i cili më herët ishte akuzuar se kishte planifikuar vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu Prek Kodra, i njohur edhe si snajperist, ëshët personi që dyshohet se i bëri atentat Ardjan Çapjas, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, e ndodhur mëngjesin e 15 gushtit të vitit 2012 në qytetin e Elbasanit, brenda banesës së të ndjerëve.

Prokuroria e Posaçme ka sqaruar dje se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim, ndërsa sot pritet një njoftim edhe më i plotë rreth kësaj bande kriminale dhe anëtarëve të saj.

Ndërkohë janë zbardhur emrat e 21 personave ndaj të cilëve SPAK lëshoi masa sigurie, të dyshuar si të përfshirë në një grup kriminal që vepronte kryesisht në zonën e Elbasanit.

Konkretisht masat e “arrestit me burg” për shtetasit: Marjus Lulaj (alias Suel Çela), Mario Çela, i vëllai, Xhino Roka, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Sergej Hasanpapaj, Bruno Hazizolli, Ledio Zabeli, Marsel Roka, Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), Preke Kodra, Fuad Verzivolli, Metin Mehjam, Renato Hasani, Skender Sufaj, Pajtime Fetau, Dedan Gjoni, Marsel Shega (alias Bujar Shega), Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa).

Ndërkohë “arrest shtëpie” për Blerina Beqiri, avokate, dhe “detyrim paraqitje” për gazetarët,  Elton Qyno dhe Artan Hoxha.