Janë zbardhur debatet brenda mbledhjes së Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministes, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për Unazën e Madhe.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi është përplasur me Niko Peleshin, pasi ky i fundit mbylli mbledhjen pa rënë dakord për datën se kur do të mblidhën sërish.
Sipas Bardhit, Peleshi e mbylli mbledhjen pasi nuk iu përgjigj kryeministri Rama në telefon, ndaj dhe nuk caktoi datën se kur Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish.
“Kur ishte mbledhja tjetër, kur ishte? Nesër do ta thërrasim ne, nuk i është përgjigjur Rama në telefon dhe na thotë ta shtyjmë”, tha Bardhi.
Kujtojmë se sot përfundoi pa sukses mbledhja e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku.
Në mbledhjen që nisi që prej orës 10:00 të mëngjesit, PS dhe PD nuk ranë dakord për një datë të dytë, në mënyrë që avokati i Ballukut, por edhe deputetët të njihen me provat e SPAK për numrin dy të qeverisë.