Pas kryeministrit Albin Kurti edhe presidenti serb Aleksander Vuçiç ka pranuar se do të marrë pjesë në takimin në Bruksel. Megjithatë ai ka thënë se do të takohet me Borrell por jo me Kurtin, pasi “biseda me të nuk ka kuptim”.
“Ai na jep leksione për filozofinë, pak për Adem Demaçin, pak për Karl Marx”, tha Vuçiç.
Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.
Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.
Kryeministri Albin Kurti dje u është drejtuar qytetarëve serbë me një video, përmes së cilës ka komentuar situatën në veri të vendit. Ai u bëri thirrje që të ecin drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, ndërsa pranoi se do të bëhen zgjedhje të tjera.