Vuçiç flet në Tiranë për heqjen e dinarit serb në Kosovë: Jemi të gatshëm të bisedojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur sërish sot në samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë, duke deklaruar se është gjithmonë i gatshëm të bisedojë.

Ai tha se  për çështjen e dinarit, të gjithë ndërmjetësit ndërkombëtarë janë kundër veprimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Keni dëgjuar gjithë ndërmjetësuesit tanë, të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë përfshirë njerëz nga SHBA-ja dhe jo vetëm nga Bashkimi Evropian, që janë kundër veprimeve të njëanshme të bërë nga regjimi i Kurtit në Prishtinë.

Asnjë nuk e kupton pse po e bëjnë këtë. Ata thonë se u bë nga Banka Qendrore është një lloj mendjemadhësie hipokritike që nuk i beson askush. Shpresoj të veprojnë në mënyrë më të arsyeshme në të ardhmen.

Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për gjithçka, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin me kryenegociator në Bruksel për të biseduar, por pala tjetër nuk erdhi.

Shpresoj të gjejmë mënyra për ta zgjidhur. Përndryshe do të bëjë probleme të mëdha, për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Vuçiç, kur u pyet për rregulloren e re të BQK-së.