Vrau shokun e fëmijërisë, Gjykata e Korçës lë në burg Kristjan Sterjon 

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristian Sterjon, të akuzuar për vrasjen e Johan Zukos, krim i ndodhur pak ditë më parë.

Ai  akuzohet për veprën penale “vrasje me paramendim”, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e viktimës Joan Zyko dhe as nga familja e autorit.

Si ndodhi ngjarja?

Autori i dyshuar ka deklaruar se ishte konfliktuar me Zukon rreth dy javë para vrasjes, pasi viktima kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Gjatë debatit mes të rinjve, 20-vjeçari e kishte goditur me shuplakë Zukon.

Sipas dëshmisë së 21-vjeçarit, të shtunën, rreth mesditës, ai kishte parë 20-vjeçarin duke kaluar me një automjet Mercedes-Benz të zi. Sterjo i ka folur, pasi, sipas dëshmisë së tij, dëshironte të sqaronte konfliktin e mëparshëm.

Johan Zuko ka ndaluar automjetin dhe, kur Sterjo është afruar pranë dritares së drejtuesit, ai pretendon se 20-vjeçari është përpjekur ta godasë me thikë. Konflikti ka vijuar për disa minuta. Sipas dëshmisë, Zuko, i ndihmuar edhe nga një shok që ndodhej me të, ka tentuar sërish ta godasë ate me thikë, ndërsa e ka ofenduar rëndë. Disa persona që ndodheshin pranë kanë ndërhyrë dhe kanë ndarë dy të rinjtë.

Pas këtij konflikti, autori ka rrëfyer se, në gjaknxehtësi e sipër, është kthyer në banesë, ka marrë një pushkë dhe është nisur në kërkim të Zukos.

Sipas dëshmisë së tij, ai e ka gjetur 20-vjeçarin pranë lagjes 14, ku ky i fundit banonte, përballë një marketi. Sterjo pretendon se viktima e ka sharë sërish dhe është larguar me vrap.

21-vjeçari është vënë në ndjekje të tij dhe, kur Johan Zuko ka hyrë në një pallat, ai ka deklaruar se ka qëlluar me armë në drejtim të tij, duke synuar nga ana e këmbëve. Më pas, ai është larguar në drejtim të lagjes ku banonte.