Vrau kolegun brenda komisariatit, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 30 vite burg për ish-policin Ludjan Zaimi

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për ish-policin Ludjan Zaimi, i cili në maj të 2023-it vrau me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi brenda ambienteve të komisariatit numër 3 në Tiranë.

Shkalla e tretë e gjyqësorit nuk pranoi rekursin e Zaimit, i cili kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit, që e kishte dënuar me 30 vite burg.

Në shkallën e parë, ish-efektivi  u dënua me 35 vite burg për veprën penale “vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, por Apeli e rikualifikoi në vrasje me paramendim duke i ulur me 5 vite dënimin.

Ngjarja e rëndë u shënua brenda në ambientet e komisariatit, pak para se të dy oficerët e Patrullës së Përgjithshme të merrnin turnin. 25 vjeçari, efektiv i policisë qëlloi 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç. 

Saliasi u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ludjan Zaimi kishte vetëm 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, e ndërsa viktima Çaush Saliasi mbi 20 vite karrierë me uniformat blu.