Vrau ish-dhëndrin, Gjykata e Lartë prish dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj.

Përmes këtij vendimi, Gjykata e Lartë urdhëron që çështja të rigjykohet nga një tjetër trupë gjykuese e Apelit.

Në 12 korrik të 2023-it, Apeli vendosi dënimin me burgim te përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa e bija, Dhurata Saliaj, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim. Kjo e fundit akuzohet për krijim të kushteve për të kryer vrasjen. Për Dhurata Saliajn gjykata rrëzoi akuzën për bashkëpunim në vrasje.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e datës 4 qershor 2021 në një lokal pranë Gjykatës Civile, në Tiranë, ku Mexhit Picari vrau në mes të lokalit, bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj , pak minuta para seancës së 5-të. 

I plagosur, jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama.