Vrasja e policit në Maliq, reagon Rama: Ndëshkim maksimal për autorin, nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Maliq, ku efektivi i “shqiponjave”, Enea Mekolli, u vra në krye të detyrës gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellarit.

Rama kërkon ndëshkim maksimal për autorin, teksa i shpreh ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër që mbeti i plagosur.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli!

Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër🇦🇱

Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, shkruan Rama.