Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan/ Nis seanca në Apel për ish-efektivin e RENEA-s, tre ekspertë do të rindërtojnë skenën e krimit

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit ndaj ish-efektivit të RENEA-s, Arbër Palekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, tre vitë më përpara në qytetin e Elbasanit.

Gjykata pranoi me 4 mars kërkesën e Arbër Paplekaj, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik në vendin e ngjarjes.

Arbër Paplekaj, është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021, pak dite para zgjedhjeve parlamentare.

Paplekaj kërkon edhe rikualifikim të veprës penale nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.

Prokuroria sot pritet të japë informacione edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve të PD e PS, mes atyre të ashtuquajtur anëtarëve të strukturës së mbrojtjes së votës dhe mbështetësve socialistë.

Gjykata e Apelit vendosi të caktojë një ekspert nga Instituti i Policisë Shkencore dhe dy ekspertë të pavarur, të cilët do të rindërtojnë skenën e krimit.

Ndërkohë eksperti i policisë së shtetit ka refuzuar që të marrë pjesë duke thënë se nuk e lejon rregullorja e punës.