Vrasja e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos, mediat greke: I shpëtoi një atentati disa muaj më parë

Mediat greke japin detaje në lidhje me vrasjen e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos ditën e djeshme nga një 27 vjeçar grek.

Aliaj, për të cilin ishte lëshuar një urdhër vdekjeje, i kishte shpëtuar një atentati rreth 6 muaj më parë në të njëjtin burg.

Megjithatë, dje, ai nuk arriti t’i shpëtonte të riut grek, gjithashtu një kriminel i rrezikshëm, i cili hyri në qelinë e tij dhe e goditi me thikë për vdekje.

49-vjeçari Aliaj, i cili ishte arratisur nga burgu i Korfuzit shumë vite më parë, pasi iu dha leje dhe nuk u kthye më kurrë, më në fund ra në duart e autoriteteve pas gati nëntë vitesh dhe që atëherë ka qenë i burgosur.

Prej kohësh, informacionet flasin se viktima ishte vënë në shënjestër të rivalëve, të cilët më në fund arritën ta ekzekutonin.

Kujtijmë se ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë ku Aliaj u qëllua për vdekje me thikë, teksa ndodhej në qelinë e tij.

Aliaj ishte një personazh i njohur në botën e krimit, i dënuar përjetë në Greqi për vrasjen e një shqiptari, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje, ngjarje të ndodhura në Athinë në vitin 2006.

Po ashtu, ai i dënuar përjetë në mungesë edhe në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje kjo e ndodhur në 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.