Gjykata e Tiranës ka dënuar me 24 vite burg Ilir Beqarjan, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-policit të burgjeve, Gentjan Bejtja, në mars të 2024.
Sipas Prokurorisë, Beqaraj me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga organi i akuzës.
Po ashtu Beqaraj sipas hetimeve e ka vëzhguar në kohë të ndryshme viktimën në afërsi të banesës së tij.
Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 23 vite burg për Beqarajn dhe shpalljen fajtor të tij për 3 vepra penale, ‘vrasje me paramendim’ ‘mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘falsifikimi apo përdorimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo i vizave të falsifikuara’.
“Ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, Ilir Beqaraj dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtja”, njoftonte Prokuroria pas hetimeve.