Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ka ngritur shqetësimin për sigurinë në institucionet e drejtësisë, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Çela nënvizoi se kushtet aktuale në gjykata dhe prokurori nuk janë optimale dhe se duhet ndërmarrë një nismë e përbashkët mes institucioneve për të riorganizuar sistemin e sigurisë.
Ndër të tjera, Çela tha se pajtimi i kompanisë private Ilirjan Guard për të siguruar perimetrin e jashtëm të prokurorive apo gjykatave nuk rezultoi funksional. Ai e konsideroi të domosdoshme prezencën e policisë në gjykata dhe prokurori.
“Patjetër në gjykata kushtet nuk janë optimale. Në një mbledhje qe patëm kemi nisur një proces konsultimi. Ka nevojë për të rivlerësuar sesi ne mbrojmë këto institucione.
Ky sistemi që kemi zgjedhur për të siguruar perimetrin jashtë institucioni me kompaninë Ilirjan Guard nuk ka funksionuar. Duhet riparë. Do të zhvillojmë disa mbledhje me te gjitha prokuroritë për te mbledhur shqetësimet dhe propozimet për sigurinë dhe nevoja për prezencën e policisë së shtetit në gjykata e prokurori është e domosdoshme”, tha Çela.