Ekzekutimi i gjyqtarit, ndalohet oficeri i sigurisë në Gjykatën e Apelit

Policia e Shtetit ka ndaluar punonjësin e sigurisë së gjykatës së Apelit, disa orë pas ngjarjes tornditëse ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri në sallën e gjyqit.

Ai konsiderohet si përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit të drejtësisë, ku autori Elvis Shkambi arriti që të futej me armë në Gjykatë duke i marrë jetën gjyqtarit Kalaja dhe duke lënë dy të tjetër të plagosur.

Aktualisht mbetet e paqartë se si autori arriti që të futej brenda në sallë i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. 

Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë fill pasi dha vendimin në favor të palës tjetër, të cilët po ashtu u plagosën si pasojë e të shtënave.

Elvis Shkambi dhe babë e bir Rakip dhe Ervis Kurtaj ishin në një proces gjyqësor për një pronë në Shkodër. Pasi Astrit Kalaja lexoi vendimin në favor të Kurtajve, autori ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të gjyqtarit dhe dy të tjerëve.

Gjyqtari nuk arriti që tu mbijetonte plagëve ndërsa babë e bir janë jashtë rrezikut për jetën.