Vrasja e Fatbardh Licit, zgjaten me tre muaj hetimet për ish-të dashurën e Safet Bajrit

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka shtyrë hetimet për ish-të dashurën e Safet Bajrit, e cila aktualisht raportohet se ndodhet në burgun e grave në Pogradec.

Eria Ago, e cila është arrestuar në mars të këtij viti, akuzohet se ka përkrahur autorët e vrasjës së Fatbardh Licit, duke i larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.

Për krimin e ndodhur në vitin 2018, në pranga kanë rënë Safet Bajri, i njohur si i ‘forti’ i Dobraçit, Behar Bajri dhe Astmer Bilali.

Sipas hetimeve të SPAK, vrasja e Fatbardh Licit erdhi si hakmarrje për ekzekutimin e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci. Skena e krimit tronditës në korrik të 2018-ës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.

Në dosjen e SPAK thuhet se “më datë 10 Gusht 2018, në orët e para të mëngjesit, Safet Bajri (Rustemi), Astmer Bilali dhe E.A., e dashura e Safet Bajrit janë nisur drejt Shkodrës me dy automjete, njëri i markës “Benz” me targë AA 989 TE, në përdorim të Safet Rustemit dhe tjetri i markës “Volksëagen” me targë AA 383 PN, në përdorim të Denis Brajoviq.

Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur të markës ‘Benz’ ngjyrë gri, me targa AA 760 FX. Automjet me të cilin janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit Sokol Lici, këtu ku pothuajse çdo ditë, në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, që është njëkohësisht edhe xhaxhai i Ibrahim Licit.

Pasi kanë parë që viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit, automjeti është afruar pranë tij. Këtu nga dera e pasagjerit ka zbritur, dyshohet Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur”.