Vrasja e 14-vjeçarit/ Prindër e qytetarë sërish protestë te Ministria e Arsimit, kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

Brenda pak ditësh, prindër dhe qytetarë janë rikthyer sërish për të protestuar përballë godinës së Ministrisë së Arsimit.

Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu, pas ngjarjs tragjike ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani, shumë pranë shkollës ‘Fan Noli’.

“Ministria e turpit”, “Mos e përdorin ngjarjen për politikë”, “Polici e krimit”, “qeveri e krimit”, ishin disa prej thirrjeve të protestuesve.

Protestuesit i kishin lënë afat deri ditën e sotme ministres së Arsimit që të jepte dorëheqjen, një reflektim ky, i cili nuk ka ndodhur deri në këto momente.

Kërkesat e Shoqërisë Civile:

-Shtimi i buxhetit në 5% të PBB

-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe staf mbështetës

-Rritja dhe plotësimi 100%  i shkollave me psikologë, raporti 1 psikolog për çdo 200 nxënës

-Qëndrimi nxënësve në shkollë deri në 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat

-Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave në orën e mësimit

-Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje për fëmijët nën moshën 14 vjeç

-Krijimi i një sistemi të raportimit të rasteve ku të ndërlidhen të gjitha hallkat

-Çdo shkollë duhet të ketë oficerin e sigurisë

-Dorëheqje e menjëhershme e ministres së Arsimit.