Vrasja e 14 vjeçares, kërkohet ekstradimi i autorit të arrestuar në Turqi

Ministria e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nga autoritetet turke, që të mbajnë në paraburgim të dyshuarin kryesor, për vrasjen e vajzës 14 vjeçare në Shkup dhe të një 74 vjeçari në qytetin e Velesit, deri në momentin e përfundimit të procedurave për ekstradimin e tij.

Bëhet me dije, nga zyra e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, se Ministri ka nënshkruar kërkesën për ekstradim, që do t’i dërgohet Ministrisë turke të Drejtësisë. Shkupi pret që Ankaraja të veprojë me shpejtësi, në përgjigje të kërkesës.

Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjet e fundit që tronditën opinionin publik, u arrestua dje në qytetin Balikesir, në jug të Stambollit. Aktualisht, pesë persona janë të dyshuar për veprën e vrasjes dhe ndihmën në vrasjen e Vanja Gjorçevskës, përfshirë babain e saj, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se i kishte dhënë informata të akuzuarit kryesor Palevski, lidhur me lëvizjet e vajzës së tij.