Është shtyre seanca gjyqësore ndaj Dan Hutrës, i cili vrau 3 gra dhe plagosi tre të tjera, ngjarje të cilat ndodhën një vit më parë në Tiranë.
Mesohet se shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e një gjyqtareje. Dan Hutra, i eriketuar ndryshe edhe si “vrasësi i grave” u kap me mediat që ndodheshin në sallën e gjyqit.
“Të përdorësh mikrofonin është gjë e lehtë, të zbërthesh të vërtetën është gjë e rëndë. Nuk mund ta them nga xhami të vërtetën, do kemi kohë dhe do të flasim. Nuk keni me çfarë te merreni tani? Do merreni me mua. Do të vijë momenti dhe do t’i them. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Mos u merrni me mua. Nuk kam dëshmuar në SPAK as kam përse të dëshmoj. Do të zbërthehen të gjitha. Do vijë dhe momenti juaj”, tha Hutra.
Kujtojmë se Dan Hutra u arrestua më 1 mars të vitit 2023, në ditën që ai kreu 3 vrasje e tre plagosje brenda pak orësh, duke tronditur kryeqytetin.
Edhe përpara masakrës së 1 marsit, 40-vjeçari Hutra nuk ishte një emër i panjohur për policinë pasi ai ishte dënuar për një tjetër vrasje në vitin 2007.