Vrasja me thikë e 19-vjeçarit në Fier, autori dënohet me 12 vite burg! Lirohet kushëriri i tij, bashkëpunëtor në krim

Gjykata e Fierit ka dënuar me 12 vite burg Florian Mukën, i akuzuar për vrasjen e Grei Bihucit, ngjarje që ndodhi më 11 Mars të 2024-ës.

Megjithatë Prokuroria kishte kërkuar 25 vite burg për Mukën, i cili pranoi autorësinë e krimit dhe pretendoi vetëmbrojtje.

Akuza për Florian Mukën ishte “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, sipas nenit 78/1 të Kodit Penal, për të cilën prokuroria kërkoi 25 vjet burg. Por duke marrë parasysh pranimin e fajësisë dhe pendesën, ai u dënua me 12 vjet burg, në bazë të nenit 76 të Kodit Penal.

Ndërkohë kushëriri i tij, Klajdi Muka u dënua vetëm për moskallëzim krimi me 1 vit burg, kohë të cilën e kishte shlyer në paraburgim, dhe u lirua nga gjykata, pavarësisht se Prokuroria kishte kërkuar 12 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 Mars të një viti më parë në qendër të Fierit ku autorët Florian dhe Klajdi Muka në bashkëpunim me njëri-tjetrin, goditën me thikë 19-vjeçarin,  i cili humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.

Dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjete sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike. Gjatë konfliktit, mbeti i plagosur edhe shoku viktimës, i cili ndërhyri për ta shpëtuar.