Ditën e sotme gjykata e Durrësit do të japë masën e sigurisë për tre fëmijët, Hysen, Hygerta dhe Amarildo Meta, të cilët bashkëpunuan për vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta, në Shënavlash të Durrësit.
Hysen Meta, i cili dyshohet se ka qenë ai që ka ekzekutuar më armë 49-vjeçarin, ka ndryshuar dëshminë e tij.
Ai ka thënë se ka qenë motra e tyre, Hygerta Meta, e cila ka vrarë babain, për shkak të debateve të shumta që kanë pasur.
“E qëlloi se donte ta fejonte me zor! Kishin debatuar shumë herë! S’kam qenë i pranishëm gjithmonë. Babi mua s’më pyeste për ketë pjesë! Marrëdhëniet i kam pas jo shume të mira! Kam thënë ndryshe para oficerit sepse isha i hutuar dhe na ka ardhur keq. Për atë që ka ndodhur. As vëllezërve të vet nuk u ka ardhur aq keq sa na erdhi ne”- ka thënë ai.
Djali i vogël i familjes, Amarildo, i cili bashkëpunoi me vëllain e madh dhe motrën për të fshehur trupin e babait të tyre në kasollen afër shtëpisë tregoi se kishte shkuar në banesë më 10 shkurt në orën 18:30, ku kishte gjetur nënën e shqetësuar, e cila më pas i kishte treguar për ngjarjen.
Po ashtu ai ka rrëfyer lëvizjet e tyre, për të fshehur gjurmët për krimin, që u regjistrua në një prej dhomave të banesës.
“Erdha në shtëpi në orën 18 e 30 minuta, gjeta mamanë të shqetësuar dhe më tha; se kishin vrarë babain. Sapo kisha ardhur nga puna. Më pas nisëm që të fshihnim gjurmët. I kërkova shokëve një makinë që të bënim lëvizjet tona”, tha Amarildo.
Ndërkohë Hygerta Meta, ka thënë se vëllai i tyre dhe nëna e morën vesh për ngjarjen pasi erdhën në banesë.
“Vëllai dhe nëna kanë mësuar vrasjen më vonë kur kanë ardhur në banesë. Jemi marrë me fshehjen e armëve dhe gjurmëve”, ka deklaruar Hygerta Meta në gjykatë.