Qeveria greke ka reaguar një ditë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë takimit me emigrantët në Selanik, tha se termi Vorio Epir ka vdekur.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis i pyetur nga gazetarët mbi deklaratën e Ramës, tha se rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Greqia dhe respekti i minoritetit grek në vendin tonë është një kusht që nuk mund të anashkalohet.
Më herët pati edhe një reagimin nga ana e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ku ndër të tjera thuhej se kërkonte respektimin e të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri, si kusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Epiri i Veriut mund të mos ekzistojë për zotin Rama, por besoj se është e vetëkuptueshme që në Shqipëri jeton minoriteti etnik grek me të drejtat e tij. Respekti ndaj tyre dhe në përgjithësi respekti për minoritetin etnik grek në Shqipëri është një kusht i qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas qëndrimit unanim të 27 vendeve anëtare, siç theksoi me të drejtë Ministria e Jashtme. Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një kusht që askush nuk mund ta anashkalojë, i cili është respekti i minoritetit etnik grek në Shqipëri”-tha zëdhënësi i qeverisë greke.