NATO-ja duhet të bëhet më evropiane për të reduktuar varësinë e saj të gjatë nga mburoja e sigurisë së SHBA-së, deklaruan të martën Ursula von der Leyen dhe Mark Rutte, ndërsa liderët e aleancës 77-vjeçare u mblodhën në Ankara të Turqisë për samitin e tyre vjetor.
“Ne të dy e dimë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi i ngushtë mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por, për ta bërë këtë të mundur, na duhet ndërveprueshmëri,” tha Von der Leyen.
Nga ana e tij, Rutte theksoi ndarjen e qartë të përgjegjësive mes dy organizatave: NATO merret me strukturën komanduese, aftësitë ushtarake dhe standardet, ndërsa BE-ja me industrinë, investimet dhe rregullimin e sektorit të mbrojtjes. Aktualisht, 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së janë gjithashtu pjesë e NATO-s.
“Nuk mund të vazhdojmë të jemi kaq të varur nga Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Evropë shumë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë. Për të ruajtur lidhjen transatlantike, duhet të bëhemi më evropianë,” deklaroi ai.
Samiti në Ankara zhvillohet pas muajsh tensionesh në marrëdhëniet transatlantike, të nxitura nga vendimi i njëanshëm i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të goditur Iranin, si dhe nga reduktimi gradual i pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Përballë këtyre zhvillimeve, vendet evropiane synojnë të tregojnë se po marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, duke rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake – një proces që shpesh përshkruhet si “evropianizimi i NATO-s”.
Por, ndërsa disa shtete – si Polonia, vendet baltike dhe ato nordike – i kanë rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake drejt objektivit të ri prej 5% të PBB-së, të tjera – si Spanja, Belgjika, Luksemburgu dhe Republika Çeke – mbeten ende shumë prapa.
Von der Leyen prezantoi gjithashtu planet financiare të Komisionit Evropian për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, duke përmendur 150 miliardë euro në kuadër të programit SAFE dhe 135 miliardë euro të planifikuara paraprakisht në buxhetin e ardhshëm të BE-së.
“Në këtë mjedis gjeostrategjik dhe gjeopolitik kemi nevojë për një rritje masive të investimeve në mbrojtje. Me paratë e taksapaguesve duam gjithashtu kthim të investimit, vende pune, kërkim shkencor dhe zhvillim në Evropë,” u shpreh ajo.
Rutte paralajmëroi se NATO duhet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e industrisë së mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut për të përballuar ritmin e prodhimit ushtarak të Rusisë.