Vlora zgjohet nën ujë, rrugët e lagjet ende të përmbytura, 33 familjet e evakuuara e kalojnë natën në konvikt

Qyteti i Vlorës është zgjuar nën pushtetin e ujit mëngjesin e kësaj të shtune, për shkak të reshjeve të dendura të një dite më parë.

Në disa banesa dhe biznese ka ende prezencë te ujit, ndërsa dëmet konsiderohen të shumta. Po ashtu 33 familje u evakuuan, të cilat u strehuan në konvikt.

Më problematike situata mbetet në disa lagje, ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagjja ‘Kushtrim’, lagja ‘Rilindja’, ‘Skela’, ‘Pavarësia’, rruga ‘Hasan Kushta’ rruga “Gjergj Araniti” aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. 

Në disa lagje, energjia elektrike vijon të mbetet e stakuar për të mos krijuar probleme, pasi në disa kabina ka prezencë uji.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se nuk parashikohen reshje me intensitet të lartë në orët në vijim, por do të vazhdojë të monitorojë situatën në terren për të ofruar mbështetje të nevojshme për Bashkinë e Vlorës. Një nga prioritetet mbetet pastrimi i kanaleve që janë bllokuar për shkak të prurjeve, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.