Qëndresa Qytetare ka reaguar në lidhje me vjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS teksa i akuzuar është drejtori i IT në Policinë e Shtetit Ervin Muça.
Në reagim thuhet se bandave kriminale ndër vite nuk u ka munguar aksesi në TIMS pasi janë ndihmuar nga efektivë të policisë për të marrë të dhënat për rivalët që kanë pasur si objektiv t’i eliminonin.
Më tej Qëndresa Qytetare i bën thirrje SPAK se duhet ti shkojë deri në fund kësaj afere të rëndë, që lidhet direkt me sigurinë kombëtare.
Sipas Qëndresës Qytetare, çdo zyrtar që ka bashkëpunuar me Ervin Muçën për të nxjerrë të dhënat nga sistemi TIMS nuk duhet të jetë në detyre, pa u sqaruar pozicioni I tij.
Reagimi:
TIMS, krimit ndër vite nuk i ka munguar aksesi, zyrtarët e përfshirë s’mund të jenë ende në detyrë!
Në dosjet hetimore që hetohen në SPAK për grupet kriminale në shumë episode është faktuar se grupe kriminale kanë munduar që përmes efektivëve të policisë të marrin të dhëna nga TIMS për rivalët që kanë pasur si objektiv ti eliminonin.
Nuk ka asnjë dyshim që në krye të kësaj afere nuk ka qenë Ervin Muça, i cili duhet të përballet për akuzat lidhur me veprimet e tij, por SPAK duhet të shkojë deri në fund kësaj afere të rëndë, që lidhet direkt me sigurinë kombëtare, pasi jo vetëm krimi i organizuar ka interes për këtë sistem, por edhe agjenturat e huaja.
Çdo përpjekje për zvarritjen e Komisionit Hetimor, duhet të ndalet dhe ky Komision veç hetimit duhet të bëjë transparencë për qytetarët shqiptar, pasi në TIMS janë të dhëna sensitive për ta.
Çdo zyrtar që ka bashkëpunuar me Ervin Muçën për të nxjerrë të dhënat nga sistemi TIMS nuk duhet të jetë në detyre, pa u sqaruar pozicioni i tij veprimet dhe mosveprimet e tij në datën 2 gusht 2023, kur është tentuar që në mënyrë të paligjshme të dhënat e sistemit TIMS janë tentuar të përvetësohen.
Ky sistem është një minierë ari që nëse bie në duar të gabuara do kishte pasoja fatale për vendin.