Vjedhin 409 mijë euro nga kompania ku punonin, arrestohet njëri prej autorëve, financierja në kërkim

Një vjedhje me vlerë rreth 409 mijë euro është zbuluar pas disa muajsh hetime, ku dy punonjës të një kompanie që tregton tekstile me metrazhe dyshohet se kanë bashkëpunuar për të përvetësuar këtë shumë.

Në pranga është vënë Erlin Shkoza, 37 vjeç, i cili punonte si shpërndarës porosish në kompaninë ku dyshohet se ka ndodhur vjedhja. Ndërsa në kërkim është shpallur A. S., 30 vjeçe, me detyrë financiere në të njëjtin subjekt.

Sipas hetimeve të deritanishme, të dy dyshohet se, gjatë viteve 2023–2024, kanë realizuar vjedhjen përmes manipulimit të faturave të shpërndarjes, duke mashtruar pronarët e kompanisë dhe duke përfituar shumat në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet pas 6 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Doublefront”.

Vodhën 409 000 euro nga subjekti ku ishin të punësuar, duke shpërdoruar detyrat, arrestohet 37 –vjeçari (shpërndarës i porosive), shpallet në kërkim financierja.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për 6 muaj, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin policor të koduar “Doublefront”.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasin E. Sh., 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasja A. S., 30 vjeçe.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S. (me detyra respektive shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga ky subjekt, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 000 euro.

Punohet për kapjen e shtetases A. S.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.