Nëse viti 2024 do të mbahet mend për ndonjë gjë specifike, gjasat janë që ai do të mbahet mend si viti kur shqiptarët mësuan se sa shumë vendi i tyre gjendet nën kthetrat e krimit të organizuar. Njihuni me hetimet e bujshme kundër krimit dhe korrupsionit dhe ngjarjet kryesore të vitit që po mbyllet.
Më 19 maj 2020, një oficer policie ishte në një patrullim rutinë me makinën e policisë në qytetin e Elbasanit. Një shok i thotë atij përmes aplikacionit SKY ECC se e kishte parë kur kishte dalë në patrullim nga lagjja e tyre, pasi ishte kapur nga kamerat e kontrolluara nga “miqtë e tij”.
Ky nuk ishte një kërcënim ose nuk duket si i tillë sipas komunikimit të zbardhur nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e hetimit ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, një eksponent i dyshuar i krimit të organizuar, aktualisht në arrati prej vitesh, i akuzuar së fundmi për vrasje, trafik droge dhe krime të tjera të rënda.
Komunikimi në fakt ngjan shumë miqësor dhe duket se provon atë që banorët e qytetit të Elbasanit e kanë ndjerë prej vitesh: qyteti i tyre kontrollohet nga krimi, ndërsa Policia e Shtetit, edhe nëse nuk është pjesë e strukturave kriminale rivale në qytet, është thjesht një forcë e pafuqishme.
Dosja hetimore ndaj grupit të Suel Çelës, i cili njihet edhe me emrin Marjus Lulaj, mbart detaje tronditëse të kontrollit të territorit nga një organizatë kriminale, veçanërisht e dhunshme dhe e etur për të përdorur dhunën dhe shantazhin për ta ruajtur dhe zgjeruar këtë kontroll.
Dhjetëra zyrtarë nga policia, sistemi i drejtësisë, administrata publike, pushteti vendor dhe politika qendrore, ose kanë mbyllur sytë, ose kanë bashkëpunuar me të. Vendimi gjyqësor që cakton masën e sigurisë për të akuzuarit vijon të mbetet formalisht sekret hetimor, ndonëse detaje të këtij vendimi kanë rrjedhur në media me bollëk.
Dosja në fjalë është vetëm një nga shumë hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hartuara falë sekuestrimit të serverëve të një kompanie franceze e cila ofronte, përkundrejt tarifave të larta, shërbim komunikimi që supozohej se ishte i sigurt dhe i papërgjueshëm.
Sipas shpjegimeve të dhëna nga prokuroria speciale shqiptare, ishin fillimisht autoritetet policore belge që zbuluan përdorimin e aplikacionit Sky ECC nga trafikantë droge në këtë vend ndërsa më pas, autoritetet franceze kërkuan autorimizim nga një gjykatë për të përgjuar aplikacionin, nën dyshimin e arsyeshëm se ky aplikacion përdorej në masë nga strukturat e krimit të organizuar të shumë vendeve.
Mes komunikimeve të mijëra eksponentëve të krimit nga të katër anët e botës, një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të jenë bërë në gjuhën shqipe, gjë që tregon popullaritetin e SKY ECC mes krimit shqiptar. Një nga dosjet e prokurorisë, ajo që ka marrë nofkën “Dosja e Shtatë Bandave”, tregon se një strukturë kriminale porositi në një rast të vetëm një dyzinë me telefonë celularë të modifikuar me SKY ECC për t’ua shpërndarë anëtarëve të vet.
Nën tiraninë e krimit
Prokuroria e Posaçme po heton deri më tani nëntë dosje voluminoze që mbështeten në masë të konsiderueshme në komunikimet SKY ECC me dhjetëra të arrestuar dhe figura të rëndësishme të krimit të organizuar të shpallur në kërkim.
Hetimet zbulojnë nga njëra anë një seri atentatesh dhe krimesh të vjetra në luftën për kontrollin e territorit, po aq sa hedhin dritë mbi fuqinë ekonomike të krimit të organizuar shqiptar, ndikimin e tij në institucionet ligjzbatuese dhe administratën publike si dhe lidhjet politike që i shërbejnë si mburojë.
Mes dosjeve hetimore spikat rasti i grupit të Pëllumb Gjokës, i cili u arrestua në korrik 2023, i akuzuar për vrasje, korrupsion, rrëmbim personi, trafik droge dhe pastrim parash. Gjoka është deklaruar i pafajshëm për akuzat, ndërsa avokatët e tij kanë ngritur një çështje në Gjykatën Kushtetuese në të cilën kërkojnë që provat e kapura nga SKY ECC të shpallen të pavlefshme. Bashkë me të u arrestuan dy zyrtarë policie, Oltion Bistri dhe Ardit Hasanbega, krahas prokurorit të Kukësit, Xhevahir Lita.
I njohur publikisht si një nga investitorët strategjikë të qeverisë “Rama”, Gjoka besohet se kontrollonte territorin në zonën e tij të vendlindjes në Velipojë, ndërsa aktiviteti i bixhozit ilegal i ushtruar prej tij shtrihej në zona të tjera, përfshirë Tiranën. Në një nga detajet e dosjes, lihet të kuptohet se drejtuesit e policisë së Tiranës në atë kohë, ishin në dijeni të këtyre aktiviteteve, por që nuk kishin kurajë të përballeshin me të.
Në maj të vitit 2024, SPAK kreu atë që me gjasa do të njihet si një ndër operacionet më të mëdha kundër krimit organizuar ndonjëherë në Shqipëri, goditja e shtatë grupeve kriminale dhe zbardhja e tetëmbëdhjetë krimeve nga më të rëndat, përfshirë vrasje dhe tentativë vrasje, drogë, korrupsion dhe pastrim parash. Tetëmbëdhjetë episode kriminale u zbardhën dhe 50 të dyshuar u akuzuan, ndërsa shumë prej figurave të përfolura nuk u akuzuan sepse sakaq janë të vdekur.
Ngjarjet e zbardhura përmes komunikimeve të disa dhjetëra eksponentëve përmes aplikacionit SKY ECC fillon në fund të vitit 2019 dhe mbaron në fillim të vitit 2021, kur komunikimet ndërpriten, dhe paraqet fillimisht se si Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste, planifikon vrasjen e Durim Bamit, një figurë krimi në Fushë-Krujë, për shkak se e dyshonte si autor të vrasjes së të vëllait, Aleksandër Ndoka, i cili kishte gjithashtu karrierë politike dhe ishte anëtar i Këshilllit Bashkiak zgjedhur në emër të një partie të quajtur “Rruga e Lirisë”. Ndoka angazhoi katër grupe me pesëmbëdhjetë anëtarë për të gjurmuar Bamin si dhe Aleks Ndrekën, të cilin e dyshonte se kishte ndihmuar Bamin për të kryer vrasjen pas në vitin 2017. Ai duket se urdhëron që pagesa për vrasjen të bëhet nga Ervis Martinaj, një eksponent tjetër i krimit me aktivitet në lojërat e paligjshme të fatit që në atë kohë patën lulëzuar, falë lehtësive fiskale të dhëna nga maxhoranca socialiste në parlament. Martini nga ana e tij kishte një konflikt me një grup konkurrent të njohur si Vëllezërit Duka, kundër të cilëve planifikonte vrasje ndërsa edhe këta planifikonin nga ana e tyre vrasjen e tij. Leonard Duka u arrestua në Belgjikë dhe është aktualisht në gjykim ndërsa Martinaj u zhduk në gusht 2022 kur familja njoftoi policinë se kishte humbur kontaktet me të, ndërkohë që vetë Martinaj ishte shpallur në kërkim.
Lidhjet politike dhe korruptive të strukturave kriminale të ekspozuara nga SKY ECC janë të shumta e të thella: në Lezhë, shefat e policisë bashkëpunonin me krimin e madje ishin edhe vetë pronarë parcelash me kanabis, ndërsa në Fushë-Krujë policia efektivisht nuk ekzistonte. Vëllai i deputetit Eduard Ndreca u vu nën akuzë për kultivim dhe trafik droge.
Shefi i policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, u bë simbol i një force policore të diskretituar, i akuzuar për kultivim e trafik droge. Në mënyrë domethënëse, Mitri rezultoi se kishte arritur t’i shpëtonte vetingut në polici, pasi pak ditë para se të përballej me procesin, ishte ulur në përgjegjësi, rrjedhimisht duke u shpallur si zyrtar i nivelit më të ulët nga ata që u përfshinë në vetingun e policisë.
Durim Bami, personazhi i zonës së Fushë-Krujës i njohur publikisht vite më parë kur polititikani Tom Doshi e prezantoi në publik si ‘vrasës me pagesë’ të penduar, të paguar për vrasjen e Doshit, shfaqet në dosjen e shtatë bandave si një biznesmen i zhdërvjellët me parcela kanabisi në të gjithë zonën, nga bregdeti deri në lartësinë e Malit të Skënderbeut. Ai është gjithashtu ndërmjetës në investime në prona të patundshme në Tiranë dhe për sipërmarrje të ndryshme të fortësh, fjala vjen, lokale me muzikë të lartë që paguajnë një oficer policie të paidentifikuar me pagë mujore, që të mos u ndalohet muzika pas orës 12.
Dosja paraqet edhe një nga rastet më të hershme të përmendjes së “çunave të Londrës” apo “çunave të Anglisë” si pjesë e realitetit bashkëkohor shqiptar; djem të shkathët që kanë bërë miliona të lehta në trafik droge në Mbretërinë e Bashkuar dhe që kthehen si investitorë jo fort të logjikshëm në tregun e pronave të paluajtshme në Shqipëri, një fenomen me përmasa të tilla që ka dhënë pasoja në gjendjen makroekonomike të vendit.
Dosja më e përgjakshme e hetuar falë SKY ECC është padyshim ajo e bandës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja ose Franc Gergely, 32 vjeç dhe vëllait të tij Hajdar Bako i njohur edhe si Hajdar Çopja, 40 vjeç. Prokurorët besojnë se aktiviteti i tyre kriminal ka nisur në Itali rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë për t’u rritur në mënyrë marramendëse deri sa banda ishte në gjendje të furnizonte me drogë jo vetëm vende të ndryshme në Evropë, por edhe në Indi, Afrikën e Jugut e Singapor, duke operuar nga baza e tyre në Dubai.
Xhiroja e tyre arrin në dhjetëramilionë euro, para të cilat, mësohet se u derdhën pjesërisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri dhe pjesërisht në lingota ari, ndërsa shuma të mëdha u derdhën për të financuar eliminimin e një bande konkurrente, të drejtuar nga vëllezërit Alibej. Franc Çopja, i cili u transferua nga Dubai në Belgjikë për t’u përballur me akuzat për vrasje nga drejtësia belge, përballet në Shqipëri me 26 akuza, përfshirë vrasje, vrasje e mbetur në tentativë, pastrim parash e krime të tjera. Një zyrë këmbimi valutor e cila zhvillon aktivitetin as 30 metra larg Bankës së Shqipërisë, e cila, përgjatë këtyre viteve ka këmbëngulur për mungesën e pranisë së parave të pista në Shqipëri, shërbente si zyrë finance për klanin e Çopjave, sipas prokurorëve, duke qarkulluar miliona euro.
Suksesi i Çopjave në përplasjen e tyre me vëllezërit Alibej duket se u mbështet në financat shumë më të bollshme në dispozicion të tyre, gjë që me gjasë solli edhe dështimin e tyre. Në kulmin e luftës, ndërsa Çopjat ishin pranë suksesit në eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të tyre, njëri prej të shenjestruarve, Nuredin Dumani, zgjodhi të bashkëpunojë me policinë, duke u bërë dëshmitar i shumë vrasjeve e krimeve të tjera, krahas me Erjon Alibej, i mbijetuari i vëllezërve Alibej. Përplasja mes këtyre dy grupeve la pas një dyzinë me të vdekur nga të dyja palët.
Hetimet e SPAK me bazë komunikimet e SKY ECC kanë zbuluar edhe dy raste të të akuzuarve si “kriminelë me kravatë”.
Njëri prej tyre është Jurgis Çyrbja, deputet socialist nga Shijaku, i cili akuzohet se ka fshehur Altin Hajrin, – një të shumëkërkuar në lidhje me ngjarjen rrëqethëse të rrëmbimit dhe vrasjes së një qytetari të pafajshëm, “problemi” i vetëm i të cilit ishte se ishte i vëllai i një personi të cilin bandat e Londrës dyshonin se i kishte vjedhur drogën. Dosja tregon gjithashtu se Hajri ka ndërhyrë te një politikan i paidentifikuar me qëllim që Çyrbja dhe një kandidat tjetër me emrin “Liri”, të jenë në pjesën e sigurt të listës së Partisë Socialiste për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021 në qarkun e Durrësit. Çyrbja dha dorëheqjen pak para se të arrestohej.
Një tjetër dosje e krijuar nga SPAK ka të bëjë me ish-kryetarin e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i cili, pasi kaloi pa kurrfarë shqetësimi procesin e vetingut, u arrestua për bashkëpunim me krimin e organizuar me episodin e njohur gjerësisht si Toyota Auris. Rasti i Zarkës, për aq sa ka rrjedhur sakaq në media, ka të bëjë me ndërhyrje të shumëfishta në sistemin e drejtësisë për të sabotuar apo devijuar hetimet në lidhje me 3,4 milionë euro të kapura në vitin 2019 në Durrës, ku synimi final ishte rrëzimi i akuzës për pastrim parash, zëvendësimi i saj me akuzën e lehtë të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi dhe, në instancë finale, lirimin e shumës së sekustruar nga masa e sekuestros.
Lufta kundër korrupsionit
Alegoria e peshkut të madh duket se lindi nga një shprehje, vite më parë, e ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili shpalli në nëntor 2017 se objektivi i reformës në drejtësi ishte që të merrej me peshqit e mëdhenj të politikës.
Në harkun kohor të një viti, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për disa prej pushtetarëve më të lartë të shtetit shqiptar në tre dekada dhe ka finalizuar hetimet për një numër të madh zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të të gjitha niveleve.
Arrestimi i Ilir Metës, ish-president dhe ish-kryeministër si dhe drejtues i njërës prej dy partive kryesore në opozitë në tetor të këtij viti si dhe ngritja e akuzës ndaj ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi përbën një nga ngjarjet kyçe të vitit në të ashtuquajturën luftë kundër korrupsionit.
Meta dhe Kryemadhi u vunë nën akuzë nga SPAK për korrupsion, pasi hetuesit zbuluan një celular të vjetër të përdorur nga Kryemadhi, të dhënat e së cilit nxirrnin në pah afera të ndryshme “të dyshuara korruptive”, sipas përshkrimit të SPAK. Më domethënësi nga episodet kishte të bënte as më pak e as më shumë se sa me Samir Manen, biznesmenin e prezantuar shpesh si njeriu më i pasur në vend, i cili, sipas prokurorëve, i dha çiftit Meta-Kryemadhi përkohësisht një vilë në Rolling Hills në këmbim të ndryshimit të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë. Ligji në fjalë, i miratuar në vitin 2014 me amendamente të propozuara njëzet e katër orë para seancës, anulon të drejtën e uzufruktit për kompanitë të cilat kanë koncesione për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë.
Ndërsa Meta dhe Kryemadhi po përballen edhe me episode të tjera të dyshuara korruptive, Mane shpëtoi sepse prokurorët thonë se vepra penale e korrupsionit aktiv, e cila mbart masë dënimi më të ulët se sa ajo e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, është parashkruar.
Lideri më jetëgjatë i Shqipërisë së tranzicionit, ish-kryeministri Sali Berisha, e kaloi gjithashtu pjesën më të madhe të vitit duke mbajtur fjalime nga dritarja e shtëpisë së tij, derisa masa e sigurisë “arrest shtëpie” u shfuqizua në nëntor të këtij viti. Berisha, i cili do të përballet me gjykatën me akuzën e korrupsionit në çështjen e ish-klubit sportiv “Partizani”, akuzon kryeministrin Edi Rama se po godet opozitën përmes SPAK.
Në kampin e mazhorancës, SPAK arrestoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj në korrik të këtij viti – i cili u akuzua se përvetësoi fondet e Bashkimit Evropian përmes një restoranti të klasit të lartë në Tiranë – dhe një listë zyrtarësh të nivelit jo kaq të lartë, kryebashkiakë apo nënkryetarë bashkie, deputetë apo zyrtarë të tjerë.
Viti 2024 shënoi gjithashtu dënimin në Apel të Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, me një masë dënimi edhe më të ashpër se sa ai i dhënë në shkallën e parë. Koka, i cili ka qëndruar në burg që nga dhjetori i vitit 2021, arrestimi i së cilit duket se hapi siparin e zyrtarëve të lartë të arrestuar për korrupsion, deklaroi në mënyrë figurative para trupës gjykuese: “Nuk jam unë peshku i madh”.
Ai i sugjeroi dëgjuesve të pyesnin Monika Kryemadhin, deputeten që sot është gjithashtu nën akuzë për korrupsion, se kush është me të vërtetë peshku i madh në vend. Kryemadhi, e cila ishte denoncuesja e Kokës për korrupsionin e incineratorëve, iu përgjigj sfidës duke deklaruar se “peshku i madh është Edi Rama”. Edi Rama reagoi i zemëruar duke e përshkruar komentin si “punë qensh”.
Viti po mbyllet me një lajm tjetër të bujshëm, kontrollin e disa banesave dhe zyrave në Tiranë dhe në bregdet, të lidhura me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarët e tij të ngushtë. Zyrtarisht, SPAK është treguar i kursyer duke thënë se bastisjet kanë të bëjnë me një procedim penal të nisur për veprën penale të korrupsionit.
Sipas një vendimi gjyqësor që autorizoi bastisjet, përmbajtja e të cilit rrodhi pjesërisht në media, prokurorët janë në kërkim të provave për lidhje të mundshme korruptive dhe përfitime të paligjshme nga familjarë të afërt të Veliajt nga subjekte biznesi që kanë marrëdhënie kontraktuale me bashkinë. Veliaj deklaroi veten të hapur ndaj hetimeve, ndërsa përshkrimi prej tij i prokurorëve që po e hetojnë si “kolegë” zuri vend në fjalorthin politik në të cilin fjalët jo gjithmonë kanë kuptimin e tyre literal.
Hetimi ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe rrethit të tij të ngushtë familjar vjen pasi ai i shpëtoi në dukje implikimeve ligjore në çështjet e incineratorit inekzistent të Tiranës dhe së ashtuquajturës dosja 5D e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në bashki.
Në fakt, goditjet kundër korrupsionit të nivelit të mesëm u manifestuan në mars të këtij viti me arrestimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla e Mariglen Qato. Krimi i dyshuar i Redi Mollës e Mariglen Qatos ishte se përmes një kompanie që kontrollohej prej tyre, arritën të fitojnë dhjetramilionë euro në tendera dhe financuan një valë ndërtimi pallatesh në Tiranë si dhe një hotel në Durrës.
Historia e drejtorëve vuri në pah gjithashtu karakterin sistemik të korrupsionit. Kompania 5D fitoi me dhjetëra tenderë pa u dalluar nga askush deri sa, diku nga viti 2023, kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Belind Këlliçi e denoncoi në prokurori si skemë përvetësimi të parave publike. Në një skemë të ngjashme, edhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi u arrestua me akuzën e korrupsionit përmes një kompanie fantazmë që përfitoi mbi 2.2 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.
Pa përgjegjësi politike
Ndërsa sistemi i drejtësisë gjerësisht pranohet se ka bërë hapa para, sundimi i ligjit dhe demokracia nuk duket se kanë ecur në të njëjtin drejtim. Partia Socialiste në pushtet këmbënguli përgjatë të gjithë këtij viti, pavarësisht kritikave të shumta që ka marrë nga vendësit dhe të huajt, të injorojë vendimet e përsëritura të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në dhjetor, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në mënyrë të gënjeshtërt interpretoi një opinion të Komisionit të Venecias, i cili tekstualisht thoshte se parlamenti nuk mundet të kundërshtojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sikur i jepte të drejtë qëndrimit të socialistëve për rastin Xhaçka.
Fjalimet e kryeministrit Edi Rama u bënë gjithnjë e më të gjata gjatë këtij viti, ndërsa deklaratat e tij u bënë, në dukje, gjithnjë e më jashtë realitetit. Në maj, një fjalim që zgjaste për më shumë se 12 mijë fjalë, kishte në thelb vetëm një fjali, refuzimin e tij për të mbajtur përgjegjësi për korrupsionin e kudondodhur përreth tij. Ai duket se e tensionoi fillin e logjikës deri në atë pikë sa dha, si argument se pse ai nuk mund të japë dorëheqjen, supozimin se ai është i pazëvendësueshëm dhe se vendi mund të bjerë në kaos në mungesë të tij si kryeministër.
Opozita kryesore, pra Partia Demokratike e udhëhequr tashmë de jure dhe de facto nga udhëheqësi i saj i parë, Sali Berisha, pati një aktivitet që u luhat nga protestat e dhunshme kundër asaj që e cilëson si narkokraci, te përpjekjet për të bërë marrëveshje parlamentare.
Në maj, grupi parlamentar i udhëhequr nga Gazmend Bardhi papritur ndërpreu bojkotin parlamentar që kishte shpallur më herët dhe bashkoi votat me Partinë Socialiste për të miratuar një amnisti kontroverse penale, e cila përfshiu edhe persona të dënuar nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në korrik, PD dhe PS, pavarësisht konfliktit në dukje të papajtueshëm, ranë dakord të çimentojnë edhe për së paku katër vjet të tjera kontrollin e kryetarëve përkatës, Edi Rama dhe Sali Berisha, mbi grupet parlamentare duke caktuar një formulë zgjedhore e cila i jep udhëheqësve mundësinë të caktojnë pjesën dërrmuese të deputetëve të partisë së vet, një vijim ky i marrëveshjes së vitit 2008 mes Ramës, në atë kohë në opozitë, dhe Berishës, në atë kohë kryeministër, për krijimin e sistemit aktual të listave të mbyllura të cilat i kanë dhënë Republikës së Shqipërisë nofkën e “republika e kryetarëve”.
Zyrtarisht, gjithsesi, as Rama dhe as Berisha nuk pranojnë që të jenë dakordësuar me njëri-tjetrin për reformën zgjedhore, pavarësisht se të dy ata janë përfituesit kryesorë të saj.
Opozita gjithsesi iu rikthye thirrjeve për “mosbindje civile” në shtator, kur Ervin Salianji, një deputet i saj, u dënua me 1 vit burg për “kallëzim të rremë”, në një proces që opozita e konsideron si dënim politik.
Në një notë më pozitive, Bashkimi Evropian vendosi të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, një vendim që duket se është ndikuar më shumë nga situata gjeopolitike në botën e sotme se sa me progresin real të Shqipërisë drejt përmbushjes së detyrimeve. Raporti i fundit i progresit gjithsesi theksoi se parlamenti ka një “kontroll të kufizuar” mbi ekzekutivin, ndërsa ngriti shqetësimin për kompromisin e amnistisë mes Ramës dhe Berishës, amnisti e cila “fali tërësisht 40 individë të dënuar nga SPAK dhe reduktoi dënimet për 65 të tjerë”, sipas raportit. BIRN