Vijon beteja me flakët në Delvinë, digjet një kishë dhe disa banesa! Nënkryetari i bashkisë asfiksohet nga zjarri

Situata e zjarreve në Delvinë duket të jetë jashtë kontrollit. Flakët e zjarrit janë drejtuar sërish drejt depozitave të gazit në lagjen “Kasapaj” ku situata paraqitet ende kritike.

Raportohet se pas mesdite flakët janë përhapur edhe në zonën e Kakodhiqit dhe Lefterhorit.

Për pasojë është djegur një kishë dhe disa banesa pavarësisht se forcat zjarrfikëse po punojnë pa pushim në terren për neutralizimin e flakëve.

Banorët janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, megjithëse disa prej tyre bëjnë rezistencë.

Nënkryetari i Bashkisë së Delvinës Filip Xuxi ka shfaqur probleme shëndetësore teksa ndodhej në zonat që po digjen ende nga zjarri. Ai është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësorë.