Vijnë në shqip “Ligjet e natyrës njerëzore” të Robert Greene-it, përkthyesi: Libër që të përball me veten

Libri “Ligjet e natyrës njerëzore”, i autorit amerikan Robert Grin (Robert Greene), vjen i botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” nën përkthimin e Jonis Y. Buzit. Autori amerikan, mjaft i njohur në perëndim, është vlerësuar nga kritika botërore për origjinalitetin e tij në fushën e psikologjisë. Përkthyesi i librit, Jonis Y. Buzi, rrëfen se përkthimi i tij ishte një sfidë më vetë për ta sjellë librin në mënyrë sa më origjinale për lexuesin shqiptar.

Robert Grini është njohur më herët për publikun shqiptar me librat “48 ligjet e pushtetit” dhe “33 strategjitë e luftës”, përkthyer nga Fon Ilia dhe Foti Kërkeshi. “Ligjet” janë një prej librave më të çmuar në fushën e psikologjisë së njeriut.

“Libri 600-faqësh përbëhet nga 18 kapituj. Në secilin kapitull trajtohet një ligj i veçantë, duke dhënë për shembuj konkretë disa prej figurave historike (p.sh. Stalini, Tolstoji, Koko Shaneli, Perikliu etj.) dhe duke i analizuar ato për të nxjerrë mësime me qëllim që lexuesi ta përdorë ligjin në fjalë në dobi të tij. Mund të thuhet që secili kapitull është minilibër më vete, që synon ta përballë lexuesin edhe me tjetrin, por mbi të gjitha me veten”, thotë Buzi.

Ai thotë se përkthimi i këtij libri kërkoi një punë të gjithanshme.

“Ka dy elemente që duhen drejtpeshuar si duhet në çdo përkthim: stili (rrjedhshmëria) dhe saktësia terminologjike. Ky libër i vëllimshëm është i ngarkuar me terma nga fusha e psikologjisë, filozofisë, historisë, sociologjisë dhe fushave të tjera përkatëse në varësi të figurave historike të caktuara që trajtohen në kapituj të veçantë. Për t’i ardhur në ndihmë lexuesit që mund të mos i kuptojë të gjithë këta terma, kam vendosur shënime shpjeguese në fund të faqes. Kështu synova të arrija njëfarë drejtpeshimi midis termave të fushës dhe kuptimit të tyre nga ana e lexuesve, për ta bërë leximin të këndshëm, dhe jo “detyrë shtëpie” ku lexuesit i duhet të gjejë kuptimin e fjalëve.

Kam synuar që vepra të rrjedhë sa më shqip. Kam shmangur sa kam mundur përdorimin e “një”-së (p.sh. “ai është një artist”) dhe në vend të saj kam përdorur të pashquarën (p.sh. “ai është artist”, dihet që “një” është, s’është dy). Aty ku ka pasur lojëra fjalësh në variantin origjinal, këto i kam përshtatur në gjuhën tonë, duke përmbysur gjithë fjalitë në disa raste, por pa e humbur kuptimin.

Arritja e një ekuilibri midis saktësisë terminologjike dhe rrjedhshmërisë ka qenë një sfidë që e pranova me shumë kënaqësi, edhe pse çmimi që pagova ishte se kalova më pak kohë me njerëzit e dashur.

Nëse kam bërë punë të mirë apo jo, këtë le ta gjykojë lexuesi i kualifikuar. Sa për mua, unë di vetëm që bëra sa munda, si njeri që jam, që autori të flasë shqip dhe saktë njëlloj sikur të ishte studiues vendas,” thotë Buzi.

“Ligjet e natyrës njerëzore”, të autorit amerikan Robert Grin (Robert Greene), u prezantua këtë vit në Panairin e Librit në Prishtinë.