Vidhte bazamentet prej mermeri të varrezave në Korçë, pranga punonjësit të shërbimeve funerale

Në Korçë është arrestuar një 48-vjeçar. Mediat shkruajnë se ky person dyshohet se ka vjedhur bazamentet prej mermeri në varrezat e qytetit.

I ndaluari është B.M., 48 vjeç, banues në fshatin Vloçisht të Maliqit, i cili ushtronte aktivitet në fushën e shërbimeve funerale.

Ai akuzohet se në kohë të ndryshme ka hyrë në varrezat e Korçës dhe ka kryer vjedhjen e pllakave prej mermeri dhe graniti, të cilat i merrte në punishten e tij dhe i shiste.

Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Dhunimi i varreve”, parashikuar nga neni 118 i Kodit Penal.