Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka rritur me një vit dënimin e Safet Gjicit, ish kryebashkiakut të Kukësit.
SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg me akuzën e korrupsionit pasiv dhe jo atë të shpërdorimit të detyrës ndërsa kërkoi edhe dënimin e Alma Kaçit me 1 vit e 6 muaj burg, për akuzën e prositucionit dhe korrupsionit aktiv.
SPAK nuk ishte dakord me ndryshimin e akuzës dhe uljen e dënimit që iu bë Safet Gjicit në Gjykatën e Shkallës së Parë ndërsa mborjtja kërkonte pafajësi, e për këtë arsye, të dyja palët e kishin dërguar çështjen në Apel.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të pranojë kërkesën e SPAK duke rritur dënimet për Gjicin dhe Kaçin. Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në proces ndërsa nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ulet me 1/3.
Ish kryebashkiaku i Kukësit e mori lajmin nga spitali pasi prej pak ditësh është dërguar me urgjencë në spital për shkak të problemeve shëndetësore.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Ndryshimin e Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Z. S.Gj. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 4 vjet dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Z. S.Gj. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 3 vjet burgim.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Znj. A.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1 vit dhe 6 muaj burgim.
- Në bazë dhe për zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi i caktuar ndaj Znj. A.K. ulet me 1/3 e tij, duke mbetur përfundimisht 1 vit burgim.
- Lënien në fuqi të Vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën tjetër të disponimeve.
- Shpenzimet gjyqësore të gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mundet të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.