Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur me disa pasagjerë shqiptarë të linjës Beograd-Tiranë në aeroportin “Nikola Tesla”.
Në një video të publikuar nga gazetari Blendi Fevziu, pasagjerët shqiptarë shihen teksa qëndrojnë të mbyllur në një autobus në pistën e aeroportit në Serbi
Në pamje dëgjohen pasagjerët që bërtasin dhe kërkojnë ndihmë nga policët jashtë autobusit, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së kondicionerit.
Të gjendur të pafuqishëm, ata kanë thyer xhamin e dritares së autobusit për të marrë ajër.
“Kemi pritur me shume se 1 ore e 20 min me dyer te mbyllura ne nje bus plot me njerez. Fillova nga paniku se skishim ajer te hapja dritaret e siperme te busit, megjithate per shkak te temperaturave dhe njerezve te shumte ne bus ishte e pamundur te merrje mjaftueshem ajer. Njerezit filluan te revoltoheshin dhe te qellonin xhamat me grushta njeherazi duke shpresuar se dikush do na degjonte. Po mbyteshim… femijet qanin. Pamja me e shemtuar dhe c‘njerezore qe kam pare ishte kur policia serbe dhe shoferi i autobuzit afrohen perballe me autobuzin dhe shihnin sesi ne kerkonim ndihme te hapnin dyert e nuk benin asgje. Ne nje moment vajza ime 13 vjece merr ate pajisjen qe eshte per emergjence per thyerjen e xhamave dhe thyen xhamin e deres. Ne ato momente filluam te merrnim ajer,” thuhet në mesazhin e denoncueses, të publikuar nga Fevziu.
Por nuk përfundon këtu, pasi sipas denoncimeve ata janë mbajtur edhe për disa orë brenda avionit, në pritje për tu nisur drejt Tiranës.
Deri më tani nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga autoriteti i aeroportit “Nikola Tesla” në Beograd për ngjarjen apo edhe nga autoritetet tona.