VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në guroret mbi Borizanë, banorët e alarmuar njoftojnë policinë, ngjarja mbahet e fshehtë

Shpërthimet e fuqishme të guroreve mbi fshatin Borizanë po bëhen gjithmonë e më shqetësuese për banorët, të cilët e kanë ngritur disa herë këtë shqetësim, por nuk janë marrë parasysh.

Ditën e djeshme rreth orës 17:45 ka ndodhur një tjetër shpërthim që ka alarmuar banorët e lagjes Hima, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë, por këta të fundit u kanë kërkuar që të bëjnë denoncim në Komisariatin e Fushë Krujës.

Banorët nuk kanë pranuar, pasi shprehen se nuk kanë besim të zyrtarët e atij komisariati, pas ngjarjes së fundit të ndodhur, ku anëtarët e fisit Maja u dhunuan nga fisi “Rraja” për shkak se kishin bërë denoncime.

Ishin pikërisht efekivët e Policisë ata që kishin lajmëruar fisin Rraja në lidhje me denoncimet, që më pas solli rrahjen barbare të dy personave, ndërkohë që mbeten ende të shpallur në kërkim vëllai dhe djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Nuk dihet nëse shpërthimi djeshëm ka ndodhur në guroren e “Rrajave”, e cila është bllokuar nga autoritetet, pasi ngjarja deri më tani është mbajtur e fshehtë dhe policia nuk ka dalë me ansjë njoftim zyrtar.